Secondary Adv

Autostrada me 6 korsi Elbasan-Lekaj, avancojnë punimet, Balluku: Ndërtim me kritere europiane

Punimet në segmentin Elbasan-Papër-Ura e Grykshit, pjesë e Korridorit VIII, po vijojnë me ritme të shpejta për ta bërë autostradën funksionale sa më shpejt për qytetarët shqiptarë.  

 

Punimet në kantier janë inspektuar nga Zv.Kryeministrja, njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila theksoi rëndësinë e kësaj autostradë në disa fusha.

 

“Ndodhemi në korridorin e 8, duke qenë se tashmë jemi në gjurmën që fillon nga bypass i ri i Elbasanit në drejtim të Rrogozhinës, është një gjurmë që nuk shikohet nga drejtuesit e automjeteve, pasi është një gjurmë në krah të lumit Shkumbin dhe larg syve të tyre. 

 

Kjo është faza e parë e këtij projekti, një projekt që do të jetë prej 40 km, një tjetër autostradë e kategorisë A që plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret europiane të lëvizjes, por që nga ana tjetër është një nga korridoret e rëndësishme PanEuropiane që përshkon Shqipërinë, jo vetëm për transportin, por edhe për energjinë dhe sigurinë e NATO”.

 

Autostrada do të jetë me 3 korsi në të dy karrexhatat e saj dhe inxhinierët parashikojnë që në fund të vitit të autostrada të jetë asfaltuar.  Ndërkohë paralelisht po punohet në disa drejtime.

 

“Kjo autostradë nuk do ndikojë në trafikun e automjeteve. Shumë shpejt fillon kantieri nga Kashari në drejtim të Lekaj.  Ne tashmë jemi në negociatë përsa i përket kredisë sa i takon bypass të Elbasan që është pika kyçe më e vështirë që kemi për momentin, kantieret e reja që janë hapur kanë ecuri të mirë në drejtim të Rrogozhinës. Do ta dorëzojmë në afate të kohore”.

 

Elbasan - Lekaj është një nga segmentet e Korridorit 8, çka nënkupton se pas përfundimit të punimeve do të jetë autostradë, ndërsa referuar dokumenteve të tenderit shpejtësia e lejuar do të jetë në intervalin 90 - 140 km/orë. Korridori 8 konsiderohet si projekti bërthamë i infrastrukturës në vendin tonë, ndërsa aktualisht është duke u punuar edhe në 8 lote të tjera, nga Elbasani në drejtim të Qafë Thanës. 

 

Kjo është vepra publike, që do të marrë dhe pjesën më të madhe të fondeve buxhetore rrugore për vitin 2025, me rreth 8.8 mld lekë të planifikuara./ Scantv


Më të lexuarat